12-26-2020, 12:52 PM
Çfarë duhet të dini për rrjetat pa tela
Një histori e shkurtër e rrjetave pa tela
Rrjetat pa tela të spektrit të gjerë, sikurse shumë teknologji të tjera, erdhën në dritë nën udhëheqjen e ushtrisë. Ushtria kishte nevojë për një metodë të thjeshtë, të sigurt dhe që mund të zbatohej thjeshtë, për të shkëmbyer të dhënat në fushë betejë.
Me uljen e kostos së teknologjisë pa tela dhe me ngritjen e kualiteti, u bë e dobishme me uljen e kostos që kompanitë ndërmarrëse të integrojnë segmente të rrjetave pa tela në rrjetat e tyre.
Teknologjia pa tela ofroi një mënyrë relativist të lirë për ndërlidhjet e ndërtesave pa nevojë për shtruarjen e kabllove të bakrit apo atyre optik.
Sot, kostoja e teknologjisë pa tela është e tillë sa që shumica e bizneseve mund ti lejojnë vetes të zbatojnë ndonjë segment të rrjetës pa tela, e ndoshta dhe të konvertojnë plotësisht rrjetën e tyre në rrjetë pa tela, duke i kursyer kështu kompanisë kohën dhe paratë duke mundësuar njëkohësisht fleksibilitet dhe lëvizshmëri të lartë të punëtorëve të saj.
Shtëpitë gjithashtu po përfitojnë nga kostoja e ulët dhe nga disponueshmëria e harduerit për rrjetat LAN pa tela. Shumë njerëz tani po krijojnë rrjeta pa tela që tani më nuk janë dhe aq të kushtueshme e që përdorin avantazhin e lëvizshmërisë për të krijuar zyret-shtëpi ose stacione-lojëra pa tela.
Me përmirësimin e teknologjisë së rrjetave pa tela, kostoja e prodhimit të harduerit (e me të dhe ajo e blerjes dhe implementimit) vazhdon të bie, dhe me të rritet numri i rrjetave të instaluara pa tela. Standardet që udhëheqin rrjetat pa tela vazhdimisht do të theksojnë nevojën interoperabilitet dhe kompatibilitet. Me rritjen e numrit të shfrytëzuesve, mungesa e kompatibilitetit mund të bëj rrjetën të pa-përdorueshme, dhe mungesa e interoperabilitetit mund të përzihet në punën e rregullt të rrjetave tjera.
Standardet bashkëkohore të rrjetave pa tela
Për shkak se rrjetat pa tela bëjnë transmetimin duke përdorur radio frekuencat, këto rrjeta janë të rregulluara nga të njëjtat ligje që përdoren për rregullimin e gjërave siç janë AM/FM radiot. Në shumë shtete komisionet e ndryshme rregullojnë përdorimin e pajisjeve të rrjetave pa tela. Në tregun momental të rrjetave pa tela gjenden disa standarde vepruese të pranuara si dhe drafte të ndryshme që janë të krijuara dhe mirëmbahen nga Instituti i Inxhinierëve të Elektrikes dhe Elektronikës IEEE .
Këto standarde janë të krijuara nga grupe të njerëzve të cilët përfaqësojnë shumë organizata të ndryshme, duke përfshirë akademitë, bizneset, ushtrinë dhe qeverinë. Për shkak se standardet e vendosura nga IEEE mund të kenë ndikim të madh mbi zhvillimin e teknologjisë, standardet mund të marrin shumë vite deri s të krijohen dhe pajtohen në mes të grupeve. Çdo kush madje ka shansin të komentojë mbi këto standarde në një kohë të caktuar gjatë procesit të sajimit të tyre.
Standardet specifike për rrjetat pa tela shkurtimisht mund të përmblidhen në:
• IEEE 802.11 – standardi origjinal i rrjetave pa tela i cili specifikon shpejtësinë më të ulët të mundshme të dhënave si në RF ashtu dhe në teknologjitë e transmisionit të bazuara në dritë.
• IEEE 802.11b – përshkruan norma paksa më të shpejta të transferim dhe një fushë më të kufizuar të teknologjive të transmisionit. Ky standard është gjithashtu i promovuar gjerësisht si Wi-FiTM nga Aleanca e kompatibilitetit të ethernetit pa tela, ose WECA .
• IEEE 802.11a – përshkruan norma shumë më të shpejta të transferimit se (por ka mungesë të kompatibilitetit me pajisjet e mëhershme) IEEE 802.11b, dhe përdorë UNII brezin prej 5 GHz.
• IEEE 802.11g – drafti më i vonshëm i bazuar mbi standardin i cili përshkruan norma të transferimit të shënimeve me shpejtësi të njëjtë me IEEE 802.11a, dhe që përkrah pajtueshmërinë me pajisjet që përkrahin 802.11b gjë që është e nevojshme për të pasur mundësi për kryerjen e zgjerimeve të rrjetit me kosto të ulët.
Teknologjitë që shfaqen do të kenë nevojë për standardet që përshkruajnë veprimin e duhur të tyre. Sfida për prodhuesit si dhe për krijuesit-e-standardeve gjithashtu do të jetë krijimi i pajisjeve që do të mund të përballen me problemet e interoperabilitetit dhe kompatibilitetit.
Aplikimet e rrjetave pa tela
Kur u ndërtuan kompjuterët për herë të parë, vetëm universitetet e mëdha dhe korporatat ishin në gjendje ti posedonin. Sot mund të gjejmë madje 3 ose 4 kompjuterë personal në çdo shtëpi. Edhe rrjetat pa tela kanë pasur udhë të ngjashme, duke u përdorur në fillim vetëm nga ndërmarrjet e mëdha, dhe tani janë në ofertë me çmim fare të lirë për përdorim nga çdonjëri nga ne. Si teknologji, rrjetat pa tela kanë hasur në një pranim mjaft të shpejtë për shkak të shumë avantazheve që ofrojnë në situata të llojllojshme. Në vazhdim do të shohim disa nga aplikimet më të përshtatshme dhe më të zakonshme të rrjetave pa tela.
Funksioni i qasjes
Rrjetat pa tela shpërndahen në funksionin e shtresës së qasjes, që do të thotë se ato përdoren si pika të hyrjes në rrjetat me tela. Në të kaluarën, qasje përkufizohej si dial-up, ADSL, kabllo, celular, Ethernet, Token Ring, Frame Relay, ATM etj. Rrjeta pa tel është thjeshtë një metodë tjetër për qasjen në rrjetë nga shfrytëzuesit. Për shkak të mungesës së shpejtësisë dhe elasticitetit, rrjetat pa tela nuk implementohen zakonisht në rolet kryesore në rrjetat e mëdha. Natyrisht, në rrjetat e vogla, mund të mos ketë dallim në mes të shtresave apo niveleve të ndryshme të rrjetës. Shtresa kryesore (ang. Core) e rrejtës duhet të jetë shumë e shpejtë dhe shumë e qëndrueshme, në gjendje të përballojë sasi të mëdha të trafikut me sa më pak vështirësi si dhe pa prishje eventuale. Shtresa shpërndarëse e rrjetës duhet të jetë e shpejtë, fleksibile, dhe e besueshme. Rrjetat pa tela zakonisht nuk përmbushin këto kërkesa për zgjedhje të rrjetës për ndërmarrje.
Rrjetat pa tel ofrojnë zgjidhje specifike për një problem të ndërlikuar: lëvizshmërinë. Pa dyshim, rrjetat pa tela zgjidhin një numër të problemeve si për korporatat ashtu edhe për shfrytëzuesit shtëpiak, por të gjitha këto probleme janë të drejtuara kah liria nga largimi i kabllove. Zgjidhjet celulare ishin në dispozicion për një kohë të gjatë tani, duke i ofruar shfrytëzuesit të bredhin duke qenë të kyçur, me shpejtësi të vogla e me çmime të larta. Rrjetat pa tela ofrojnë fleksibilitet të njëjtë pa disavantazhe. Rrjetat pa tela janë të shpejta, nuk janë të kushtueshme, dhe mund të gjinden gati çdo kund.
Gjatë konsiderimit të përdorimit të rrjetës pa tela në rrjetën tuaj, duhet pasur parasysh se përdorimi i tyre për qëllimin për të cilin janë krijuar do të japë rezultatet më të mira. Administratorët që implementojnë rrjetat pa tela në funksion të linjave kryesore duhet të kuptojnë me saktësi çfarë performancave mund të presin para se ti implementojnë ato duke shmangur kështu mënjanimin e mundshëm të tyre pas zbulimit të të metave. I vetmi funksion shpërndarës në rrjetat e përbashkëta i cili është pa dyshim i përshtatshëm për rrjetat pe tela është krijimi i urës në mes të ndërtesave. Në këtë skenar, rrejta pa tela mund të konsiderohet se është duke kryer funksionin e shpërndarjes; sidoqoftë, gjithmonë do të varet nga mënyra në të cilën janë përdorur segmentet e rrjetave pa tela në rrjetë.
Zgjerimi i rrjetit
Rrjetat pa tela mund të shërbejnë edhe si zgjerim të rrjetës me tela. Mund të ketë raste kur zgjerimi i rrjetit do të kërkonte instalimin e kabllove shtesë që mund të kushtojë. Mund të rastisë që angazhimi i instaluesve të kabllove dhe punëtorëve për ndërtimin e një seksioni të ri të hapësirës për zyrë të kushtojë mijëra euro. Ose në rastet e depove të mëdha, distancat mund të jenë aq të mëdha sa që të mos mund të përdoret kabllo e Kategorisë 5 (Cat5) për rrjetën Ethernet. Në ato raste duhet të përdoret kabllo me fije optike, që kërkon investime më të mëdha të kohës dhe resurseve. Instalimi i fijeve optike mund të përfshijë edhe zëvendësime të pajisjeve tjera të rrjetës për të plotësuar nevojat e kabllove me fije optike.
Rrjetat pa tela mund të implementohen shumë lehtë për të siguruar lidhshmëri të lehtë ndaj zonave të ndara brenda ndërtesave, si në rastin e planit të katit në figurën më poshtë. Për shkak se fare pak instalim të kabllove kërkohen për instalimin e rrjetës pa tela, kostoja e angazhimit të punëtorëve instalues dhe blerja e kabllos për Ethernet mund të eliminohen plotësisht.
Lidhshmëria në mes të ndërtesave
Në ambientet e komplekseve ose në ambientet me së paku 2 ndërtesa të afërta, mund të paraqitet nevoja të ketë përdorues të rrjetës në secilën nga ndërtesat e ndryshme të kenë qasje në të njëjtën rrjetë kompjuterike. Në të kaluarën, ky lloj i qasjes dhe lidhshmërisë do të realizohej me tërheqjen e kabllove nën-tokë prej një ndërtese në tjetrën ose me huazimin e linjave të shtrenjta telefonike nga ndonjë kompani lokale.
Me përdorimin e teknologjisë së rrjetave pa tela, pajisjet mund të instalohen me lehtësi dhe me shpejtësi për të lejuar dy apo më shumë ndërtesa të jenë pjesë e të njëjtës rrjetë pa shpenzimet e linjave të huazuara ose pa pasur nevojë për të mihur dheun në mes të ndërtesave. Me antena të duhura të teknologjisë pa tela, cilido numër i ndërtesave mund të lidhet së bashku në të njëjtën rrjetë. Padyshim se ka kufizime në përdorimin e teknologjisë pa tela, sikurse që ka dhe në cilëndo zgjidhje për bartjen e të dhënave, por fleksibiliteti, shpejtësia, dhe kursimi i parave që bëjnë rrjetat pa tela për administratorin e rrjetës i bëjnë ato të pazëvendësueshme.
Ekzistojnë dy lloje të ndryshme të lidhshmërisë në mes të ndërtesave. E para quhet pikë-në-pikë (ang. point-to-point), dhe e dyta quhet pikë-në-multipikë (ang. point-to-multipoint).
Lidhjet pikë-në-multipikë janë lidhje pa tela në mes të tri ose më shumë ndërtesave, zakonisht të implementuara sipas skemës ku një ndërtesë është pika e fokusit qendror të rrjetës. Kjo ndërtesë qendrore do të bartë rrjetën kryesore, lidhjen në Internet, dhe fermën e serverëve. Lidhjet pikë-në-multipikë zakonisht përdorin antenat omni-direkcionale në pikën qendrore dhe antena gjymë-direkcionale në secilën ndërtesë tjetër me të cilën komunikon.
Dorëzimi i të dhënave në pikën e fundme
Siguruesit e shërbimit të internetit pa tela tashmë janë duke përdorur avantazhet e përparimeve të bëra së voni në teknologjinë pa tela për të ofruar shërbimin e dorëzimit të të dhënave për konsumatorët e tyre. “Pika e fundme” i referohet instrastrukturës komunikuese – me ose pa tela – e cila ekziston në mes të zyrës qendrore të kompanisë telekomunikuese dhe përdoruesit të fundmë. Momentalisht kompanitë kabllovike janë posedues të infrastrukturës së “pikës së fundme”, por me rritjen e interesimit për teknologjinë pa tela, siguruesit e shërbimit të internetit pa tela janë gjithnjë duke krijuar më shumë pika të fundme për ofrim të shërbimit
Të konsiderojmë rastin kur kompanitë kabllovike apo ato të telefonisë kanë vështirësi të zgjerojnë rrjetat e tyre për të ofruar lidhje broadband për më shumë biznese apo shtëpi. Nëse jetojmë në zona rurale, me gjasë nuk do të kemi qasje në lidhjen broadband (modem ma kabllo apo DSL), dhe me siguri se do të jetë kështu për një kohë të gjatë. Është shumë më pak e kushtueshme për ofruesit e shërbimit të internetit të ofrojnë qasje përmes rrjetës pa tela për lokacionet e largëta për shkak se nuk bëhen shpenzime për kabllo apo pajisje tjera në lokacionin e shfrytëzuesit.
Ofruesit e shërbimit të internetit përmes rrjetave pa tela kanë gjithashtu edhe sfidat e tyre. Sikurse që ofruesit e DSL shërbimit kanë probleme me gjatësi të mëdha, e ofruesit përmes kabllove kanë probleme për shkak se kabllo është medium i përbashkët, edhe ofruesit përmes rrjetave pa tela kanë probleme me kulmet e shtëpive, bjeshkët, vetëtimat, kullat dhe shumë pengesa tjera për lidhje në mes të dy pikëve.
Lëvizshmëria
Si zgjidhje e shtresës së qasjes, rrjetat pa tela nuk mund të zëvendësojnë rrjetën LAN për sa i përket shpejtësisë së bartjes së të dhënave (100BT në 100Mbps kundrejt IEEE 802.11a që punon në 54Mbps). Çfarë ofrojnë rrjetat pa tela në shkëmbim për shpejtësinë është rritja e lëvizshmërisë (siç mund të shihet në figurën e radhës).
Për shembull, një kompani për dorëzimin e pakove përdor teknologjinë pa tela për të azhurnuar të dhënat për gjurmimin e pakove menjëherë pas arritjes së veturës dorëzuese. Posa parkohet vozitësi në dok, kompjuteri i tij tashmë është i kyçur në rrjetë dhe ka transferuar të dhënat për dorëzimin ditor në rrjetën qendrore.
Në objektet e depove, rrjetat pa tela përdoren për të përcjellë lokacionet deponuese dhe prirjet e produktit. Këto të dhëna pastaj sinkronizohen në kompjuterin qendrorë për departamentet e blerjes dhe të dërgimit. Skanerët e dorës pa tela janë duke u bërë të zakonshëm në organizatat me punëtorë të cilët lëvizin nëpër objekt duke përpunuar porositë dhe inventarin.
Në secilin prej këtyre rasteve, rrjetat pa tela kanë krijuar mundësinë e transferimit të dhënave pa kërkuar kohën dhe fuqinë njerëzore për të shënuar të dhënat pranë një terminali të lidhur me kabllo.
Lidhshmëria pa tela ka eliminuar gjithashtu edhe nevojën që këto pajisje të jenë të lidhura me kabllo të cilat përndryshe do të zinin rrugën e ecjes së përdoruesit.
Disa nga teknologjitë më të reja pa tela lejojnë shfrytëzuesit të bredhin, ose lëvizin fizikisht prej njërës zonë me mbulim të rrjetës në tjetrën pa humbur lidhshmërinë, sikurse që përdoruesit e telefonave celularë mund të lëvizin nëpër zonat e ndryshme të mbulimit me rrjetë. Në organizatat më të mëdha, kur mbulimi me rrjetën pa tela përfshin hapësira të gjera, aftësia e bredhjes ka rritur në një masë të madhe produktivitetin e këtyre organizatave, thjeshtë për shkak se shfrytëzuesit mbesin të kyçur në rrjetë edhe kur janë larg karrigeve të tyre.
Zyrat e vogla – Zyrat shtëpiake
Disa njerëz zakonisht kanë më shumë se një kompjuter në dispozicion, dhe këta kompjuterë me gjasë janë të lidhur në rrjetë të përbashkët që të mund të ndajnë fajllat, shtypësit ose lidhjen e internetit.
Ky lloj i konfigurimit gjithashtu përdoret edhe nga shumë biznese që kanë vetë disa punëtorë. Këto biznese kanë nevojë për ndarjen e informacioneve në mes të shfrytëzuesve si dhe kanë nevojë për një lidhje të internetit për hir të efikasitetit dhe rritjes së produktivitetit.
Për këto aplikime – zyrat e vogla – zyrat shtëpiake, ose nganjëherë të njohura si SOHO – një rrjetë pa tela është zgjidhje shumë e thjeshtë dhe efektive. SOHO pajisjet pa tela janë veçanërisht të dobishme në rastet kur punëtorët e zyrave dëshirojnë të bëjnë ndarjen e lidhjes së internetit. Alternativë natyrisht është shtrirja e telave nëpër tërë zyrën për të ndërlidhur kompjuterët. Shumë zyra të vogla nuk janë të para-pajisura me porte në murr për kyçje në rrjetë, dhe madje edhe më pak shtëpi kanë tela për rrjeta Ethernet. Orvatja për të kablluar zyrat apo lokacionet e tilla zakonisht ka si rezultat krijimin e vrimave që nuk janë të bukura për sy në mure dhe tavane. Me rrjetë pa tela, shfrytëzuesit mund të ndërlidhen lehtë dhe mjeshtërisht.
Zyrat mobile
Zyrat apo klasat mobile lejojnë shfrytëzuesit të paketojnë pajisjet e tyre kompjuterike dhe ti lëvizin ato prej një lokacioni në tjetrin. Për shkak të klasave të mbipopulluara, shumë shkolla tani përdorin klasa mobile. Këto klasa zakonisht përbëhen prej dhomave të mëdha të rimorkiuara që përdoren derisa të ndërtohen struktura më permanente. Në mënyrë që të zgjerohet rrjeti kompjuterik në këto ndërtesa të përkohshme, kabllimi ajror dhe tokësor që do të duhej të instalohej do të ishte një shpenzim i madh. Instalimi i lidhjeve të rrjetës pa tela prej ndërtesës kryesore deri te klasat mobile lejojnë konfigurime fleksibile në një pjesë të vogël të kostos së kabllimit alternativ. Një shembull i thjeshtë i lidhjes së klasave mobile me përdorimin e rrjetës pa tela është i ilustruar në figurën më poshtë.
Hapësirat e përkohshme për zyra gjithashtu kanë dobi prej të qenit të lidhura me rrjeta pa tela. Me rritjen e kompanive, ato shpesh gjejnë veten me mangësi të hapësirës së punës, dhe se kanë nevojë të kalojnë disa punëtorë në lokacionet e afërta, zyra të këtilla të ngjitura apo zyrat në katin tjetër të së njëjtës ndërtesë. Instalimi i kabllove për këto periudha të shkurta kohore nuk është efektiv për koston që mban, dhe zakonisht pronarët e ndërtesave nuk lejojnë që kabllot e instaluar të largohen. Me rrjetën pa tela, komponentët e rrjetës mund të paketohen dhe lëvizen në lokacionin e ri me shpejtësi dhe me lehtësi.
Janë shumë grupe që mund të përdorin rrjeta mobile me efektivitet. Disa nga to janë stadiumet, Garat olimpike, cirqet, karnavalet, panairet, festivalet, kompanitë e ndërtimeve etj. Rrjetat pa tela janë mjaft mirë të përshtatura për këto lloje të ambienteve. Spitalet dhe objektet tjera mjekësore mund të përfitojnë shumë nga implementimi i rrjetave pa tela. Disa përdorime të dobishme të rrjetave pa tela brenda këtyre objekteve mund të jenë doktorët të cilët përmes PDA asistentëve lidhen në rrjetë dhe të lexojnë të dhëna të ndryshme.
Pajisjet e rrjetave pa tela
Pikat e qasjes
Pajisja e dytë më e zakontë, menjëherë pas PC kartës për rrjetë pa tel, është pika e qasjes ose në siç njihet në gjuhën angleze “Access Point” ose “AP”. Siç sugjeron dhe emri i saj, pika e qasjes siguron klientët me pikë të qasjes në rrjetë. Një pikë e qasjes është pajisje gjysmë-dupleks me inteligjencë që është e barabartë me atë të një Ethernet switch-i të sofistikuar. Figura 8 tregon një shembull të një pike të qasjes, derisa figura 9 ilustron se ku përdoret pika e qasjes në rrjetën pa tela.
Format e punës së pikave të qasjes
Pikat e qasjes komunikojnë me klientët e tyre pa tela, me rrjetën me tela dhe me pikat e tjera të qasjes. Janë tri forma të punës në të cilat mund të konfigurohen të punojnë pikat e qasjes:
• Root Mode
• Repeater Mode
• Bridge Mode
Në vazhdim do të përshkruajmë mënyrën e punës së secilës nga këto forma të punës së pikës së qasjes.
Root Mode
Root Mode përdoret kur pika e qasjes është e lidhur për lidhjen me tel përmes interfejsit me tel (zakonisht Ethernet). Shumica e pikave të qasjes që përkrahin forma të tjera nga root mode blihen të konfiguruara të punojnë në root mode. Kur pika e qasjes është e lidhur për segmentin e rrjetës me tel përmes portit Ethernet, ajo zakonisht do të jetë e konfiguruar të punojë në root mode.
Kur janë në root mode, pikat e qasjes që janë të lidhura për të njëjtin segment shpërndarës të rrjetës me tel mund të komunikojnë mes vete përmes segmentit të rrjetës me tel. Pikat e qasjes komunikojnë njëri me tjetrin për të koordinuar funksionalitetin e bredhjes siç është rasti me ri-shoqërim.
Klientët e rrjetës pa tela mund të komunikojnë me klientët tjerë që gjenden në celulat e ndryshme përmes pikave të tyre respektove të qasjes në segmentin e rrjetës me tel.
Bridge mode
Në Bridge Mode, pika e qasjes vepron njëlloj sikur urat e rrjetave pa tela. Në të vërtetë, ato bëhen ura të rrjetave pa tela kur janë të konfiguruara në këtë mënyrë. Vetëm një numër i vogël i pikave të qasjes që ndodhen në treg kanë funksionalitetit e urës, i cili zakonisht dukshëm rrit çmimin e pajisjes. Nga figura 11 mund të shihet se klientët nuk bashkërenditen me urat, por më shumë ato përdoren për të lidhur dy ose më shumë segmente së bashku pa përdorimin e telave.
Repeater Mode
Në Repeater Mode, pikat e qasjes kanë mundësinë në sigurojnë një lidhje pa tela në drejtim të rrjetës me tela më parë se sa një lidhje normale me tela. Siç mund të shihet dhe në figurën më poshtë, një pikë e qasjes shërben si pikë kryesore e qasjes dhe tjetra shërben si përcjellës i rrjetës pa tela. Pika e qasjes në repeater mode lidhet me klientët sikurse që një pikë e qasjes lidhjen e drejtuar përpjetë kundrejt pikës kryesore të qasjes si vetë klienti. Përdorimi i pikës së qasjes në repeater mode nuk preferohet përveç nëse është absolut e nevojshme për shkak se celulat rreth secilës pikë të qasjes në këtë skenar duhet të mbulohen me më së paku 50% të sinjalit. Ky konfigurim në mënyrë drastike zvogëlon zonën brenda të cilës klientët mund të lidhen me pikën e qasjes në repeater mode.
Opsionet e zakonshme
Pika e qasjes konsiderohet të jetë portë për shkak se mundëson lidhjen prej ndonjë rrjete 802.11 në një rrjetë 802.3 apo 802.5. Pikat e qasjes mund të kenë opsione të ndryshme harduerike dhe softuerike. Opsionet më të zakonshme janë:
• Antenat fikse apo ndara
• Aftësitë e avancuara filtruese
• Radio kartela të ndashme (modulare)
• Fuqi të ndryshueshme dalëse
• Llojet të ndryshme të lidhshmërisë me kabllo
Antenat fikse apo të ndara
Varësisht nga nevojat e klientit apo organizatës, zakonisht mund të zgjedhim nëse dëshirojmë që të kemi një pikë të qasjes me antenë fikse (që nuk mund të lëvizen) ose me antenë të ndarë. Një pikë e qasjes me antenë të ndarë na jap mundësinë të lidhim një antenë tjetër në këtë pikë të qasjes duke përdorur çfarëdo gjatësie të dëshiruar të kabllos. Për shembull, nëse kemi nevojë të instalojmë një pikë të qasjes në brendi të ndërtesës dhe të japim mundësi për qasje klientëve që janë jashtë ndërtesës, atëherë kemi mundësi që përmes kabllos të vendosim antenën e lidhur për pikën e qasjes në pjesën e jashtme të ndërtesës.
Pikat e qasjes mund të blihen me ose pa larminë e antenave. Llojllojshmëria e antenave për rrjeta pa tela nënkupton përdorimin e antenave të ndryshme me hyrje të shumëfishta në një pranues të vetëm në mënyrë që të merren shembuj të secilit sinjal që vjen përmes çdo antene. Qëllimi i këtij veprimi është të zgjidhet sinjali hyrës prej cilësdo antenë ë ka marrjen më të mirë. Dy antena mund të kenë pranim të ndryshëm të sinjalit për të fenomenit që quhet multipath.
Aftësitë e avancuara të filtrimit
Funksionaliteti i filtrimit MAC ose të protokollit mund të përfshihet në një pikë të qasjes. Filtrimi zakonisht përdoret për të gjetur keqpërdoruesit e rrjetës pa tela. Si masë themelore e sigurisë, një pikë e qasjes mund të jetë e konfiguruar të filtrojë pajisjet që nuk janë në listën e MAC adresave të lejuara të pikës së qasjes, të cilën e kontrollon administratori i rrjetës.
Filtrimi i protokolleve lejon administratorët e rrjetës të marrin vendime dhe të kontrollojnë protokollet që duhet të përdoren në rrjetën pa tela. Për shembull, nëse një administratorë dëshiron të mundësojë vetëm qasje në protokollin http nëpër rrjetë ashtu që shfrytëzuesit të mund të kenë qasje vetëm në programet e bazuara në ueb, atëherë vendosja e aplikimi i http filtrit do të parandalonte përdorimin e cilitdo protokoll tjerë në atë segment të rrjetës.
Radio kartelat e ndashme (modulare)
Disa prodhues lejojnë shtimin dhe largimin e radio-ve në dhe prej PCMCIA slloteve në pikën e qasjes. Disa pikë të qasjes mund të kenë dy PCMCIA sllote për të përkrahur funksionalitet special. Duke pasur dy radio sllote në një pikë të qasjes mundësohet që një radio kartelë të kryejë funksionimin e pikës së qasjes derisa tjetra të kryejë rolin e urës (në shumicën e rasteve me ndonjë kurriz të rrjetës pa tel).
Edhe një përdorim tjetër i ngjashëm është përdorimi i secilës radio kartelë si pikë e pavarur e qasjes. Duke përdorur secilën kartelë si pikë e pavarur e qasjes i lejon administratorit të rrjetës të sigurojë rrjetë për dy herë më shumë përdorues në të njëjtën hapësirë fizike pa blerje të një pike të qasjes shtesë.
Fuqia e ndryshueshme e daljes
Fuqia e ndryshueshme e daljes i lejon administratorit të kontrollojë fuqinë (në milivat) që e përdorë pika e qasjes për të dërguar të dhënat. Kontrollimi i fuqisë dalëse mund të jetë i dobishëm në rastet ku pikat e largëta nuk janë në gjendje ta shohin pikën e qasjes. Kjo gjithashtu mund të konsiderohet edhe si luks i cili ndihmon në kontrollimin e zonës së mbulimit për pikat e qasjes.
Me rritjen e fuqisë dalëse në pikën e qasjes, klientët do të jenë në gjendje të largohen më shumë nga pika e qasjes pe e humbur lidhjen. Ky funksionon ndihmon gjithashtu dhe sigurinë e rrjetës për shkak se mundëson rritjen e përshtatshme të RF celulave ashtu që ndërhyrësit të mos mund të lidhen në rrjetë prej jashtë mureve të ndërtesës ku është duke funksionuar rrjeta.
Llojet e ndryshme të lidhjeve me tela
Opsionet e lidhjeve për një pikë të qasjes mund të përfshinë lidhjen për 10baseTx, 10/100baseTx, 100baseTx, token ring etj. Për shkak se pika e qasjes është zakonisht pajisja përmes së cilës klientët komunikojnë me rrjetën me tela, administratori duhet të kuptojë në mënyrë të drejtë se si të bëjë lidhjen me rrjetën me tela.
Dizajni dhe lidhja në mënyrë të rregullt do të parandalojnë pikën e qasjes të jetë pikë e dobët e sistemit dhe do të ketë si pasojë më pak probleme për shkaqe të pajisjes së prishur. Mund të konsiderojmë një rast kur përdorim një pikë të zakonshme të qasjes për të zgjeruar rrjetën ekzistuese me tela. Nëse në këtë rast, pika e qasjes ndodhet rreth 150 metra prej kyçjes më të afërt në rrjetën me tel, atëherë përdorimi i Ethernet kabllos së kategorisë së pestë me gjasë se nuk do të funksiononte. Ky skenar do të paraqiste problem për shkak se kabllo e kategorisë së pestë do të punojë vetëm deri në gjatësinë prej 100 metrash.
Pajisjet e klientëve të LAN rrjetave pa tela
Termi “pajisjet e klientëve” nënkupton disa pajisje të LAN rrjetave pa tel të cilat pika e qasjes i njeh si klient në rrjetë. Këto pajisje përfshijnë:
• Kartelat PCMCIA & Compact Flash
• Ethernet & Serial konvertorët
• USB adapterët
• PCI & ISA adapterët
Klientët e LAN rrjetave pa tela janë pikat e fundme siç janë desktop-ët, llaptop-ët, ose PDA kompjuterët që kanë nevojë për infrastrukturë të rrjetës pa tela. Pajisjet klient të LAN rrjetave pa tela të vëna në listën më lartë mundësojnë lidhjen për klientët e LAN rrjetave pa tela. Është me rëndësi fakti që prodhuesit prodhojnë radio kartela vetëm në dy formate fizike, dhe ato janë PCMCIA dhe Compact Flash (CF). Të gjitha radio kartelat janë të ndërtuara (nga prodhuesit) në këto formate të kartelave dhe pastaj të integruara në adapterët siç janë PCI, ISA, USB etj.
Kartelat PCMCIA dhe Compact Flash
Komponenti që haset më së shpeshti në cilëndo rrjetë pa tela është kartela PCMCIA. Më shumë e njohura edhe si “PC kartela”, këto pajisje përdoren te kompjuterët llaptop dhe te PDA-të. PC kartela është komponenti i cili mundëson lidhjen në mes të pajisjes klient dhe rrjetës. PC kartela shërben si radio modulare në pikat e qasjes, urat, urat për workgroup-e, USB adaptorët, PCI dhe ISA adaptorët, madje dhe te printerët e shtypjes
Antenat e PC kartelave janë të ndryshme te secili prodhues. Mund të vihet re se një numër i konsiderueshëm i prodhuesve përdorin antena njëjta derisa disa të tjerë përdorin modele që janë në mënyrë radikale të ndryshëm. Disa janë të vogla dhe të rrafshëta si kjo e pajisjes së paraqitur në foton më lartë, derisa disa prodhues të tjerë preferojnë antena të ndara që lidhen me kartelë përmes një kabllo të shkurtë. Disa PC kartela shiten me disa antena dhe madje me aksesore për montimin e antenave të ndara.
Kartelat Compact Flash, më shumë të njohura edhe si “CF kartela”, janë shumë të ngjashme me PC kartelat pa tela në atë se kanë funksionalitet të njëjtë, por CF kartelat janë shumë më të vogla dhe zakonisht përdoren te PDA-të. CF kartelat pa tela harxhojnë shumë pak rrymë dhe kanë madhësi shumë të vogël (2 -3 cm2).
Konvertorët Ethernet dhe Serial të rrjetave pa tela
Konvertorët Ethernet dhe seria përdoren te cilado pajisje që ka Ethernet apo port seria të vjetruar prej 9-pinësh për qëllim të konvertimit të këtyre pajisjeve për lidhje në rrjet në lidhje për LAN rrjetat pa tela. Kur përdorim një Ethernet konvertor për rrjetë pa tela, jemi duke lidhur nga jashtë një radio të rrjetës pa tel në atë pajisje përmes kabllos së kategorisë së 5-të (Cat 5). Një përdorim i zakonshëm i Ethernet konvertorëve për rrjetë pa tela është lidhje e një serveri të shtypjes të bazuar në Ethernet në një rrjetë pa tela.
Pajisje seriale konsiderohen si pajisje të vjetëruara dhe rrallë përdoren te kompjuterët personal. Konvertorët seria zakonisht përdoren te pajisjet e vjetra që përdorin seria portin e vjetruar për lidhje në rrjet siç është rasti me terminalet, pajisjet telemetrike, dhe shtypësit serial. Shumë shpesh prodhuesit shesin pajisje klient e cila përfshin të dy konvertorët atë për Ethernet dhe atë për serial në të njëjtin paketim.
Këta konvertorë Ethernet dhe serial zakonisht nuk përfshijnë në vete radio të PC kartelave. Përndryshe, PC kartela duhet blerë ndarazi dhe duhet instaluar në sllotin PCMCIA në kutinë e konvertorit. Ethernet konvertorët në veçanti lejojnë administratorët të konvertojnë një numër të pikave që janë të lidhura me tel në rrjetë pa tela për periudhë të shkurtër kohore.
Konfigurimi i konvertorëve Ethernet dhe atyre serial ndryshon. Në shumicën e rasteve, qasja në konsolë mundësohet përmes portit serial të vjetruar 9-pinësh. Figura e mëposhtme tregon një shembull të konvertorit Ethernet dhe atij serial.
USB adaptuesit
USB klientët janë duke u bërë gjithnjë e më të popullarizuar për shkak të thjeshtësisë me të cilën ata arrijnë lidhshmërinë. Pajisjet klient USB përkrahin plug-n-play , dhe nuk kërkojnë fuqi shtesë përveç fuqisë e cila furnizohet përmes USB portit në kompjuter. Disa USB klient përdorin radio kartela modulare që manipulohen lehtë derisa të tjerat kanë kartela të brendshme të fiksuara të cilat nuk mund të largohen pa e hapur shtëpizën.
Gjatë blerjes së USB klient pajisjes, duhet qenë i sigurt se në mënyrë të drejtë është kuptuar nëse USB adaptori përfshin radio PC kartelë. Në rast të USB adaptorëve të cilët kërkojnë PC kartela, rekomandohet, edhe pse nuk kërkohet gjithmonë, që të përdoret pajisja nga i njëjti prodhues si për adaptonin ashtu edhe për PC kartelën
PCI dhe ISA adaptuesit
PCI dhe ISA adaptuesit instalohen brenda desktop kompjuterit apo serverit. PCI pajisjet pa tela janë pajisje plug-n-play kompatibile, por gjithashtu mund të gjenden në treg edhe vetëm si PCI kartela të “zbrazëta” dhe kanë nevojë për PC kartela të cilat duhet vendosur në PCMCIA sllote pasi që PCI kartela të jetë instaluar në kompjuter. ISA kartelat pa tela me gjatë nuk to të jenë kompatibile me plug-n-play dhe do të kërkojnë konfigurim manual si përmes softuerit të pajisjes po ashtu edhe të sistemit operativ.
Për shkak se sistemi operativ nuk mund të konfigurojë ISA pajisjet që nuk janë kompatibile me plug-n-play, administratori duhet përkujdesur që rregullimet e adaptuesit të jenë të në përputhje me ato të sistemit operativ. Prodhuesit zakonisht kanë drajverë të ndryshëm për adaptuesit PCI dhe për ata ISA dhe për PC kartelat që duhen vendosur në secilin prej tyre. Si me USB adaptuesit, rekomandohet që të përdoren pajisje të prodhuesit të njëjtë për PCI/ISA adaptuesit dhe për PC kartelat. Më poshtë mund të shihet një shembull i PCI adaptuesit me një PC kartelë brenda tij.
Instituti i Inxhinierëve të Elektrikes dhe Elektronikes
Instituti i inxhinierëve të elektrikes dhe elektronikes (IEEE ) është krijuesi kryesorë i standardeve për shumicën e gjërave që kanë të bëjnë me teknologjinë në Shtetet e Bashkuara. IEEE krijon standardet e veta brenda ligjeve që i krijon Komisioni Federal për Komunikime. IEEE specifikon shumë standarde të teknologjisë siç është Kriptografia e Çelësit Publik (IEEE 1363), FireWire (IEEE 1394), Etherneti (IEEE 802.3) dhe rrjetat pa tela (IEEE 802.11).
Është pjesa e misionit të IEEE-së të zhvillojë standardet për veprimin e LAN rrjetave pa tela brenda kornizave të ligjeve dhe rregullave të FCC-së. Në vazhdim do të diskutojmë katër IEEE standardet kryesore për LAN rrjetat pa tela që janë në përdorim për momentin:
• 802.11
• 802.11b
• 802.11a
• 802.11g
Teknologjitë tjera që garojnë në mes veti
Janë disa teknologji të cilat garojnë me familjen e standardeve 802.11. Me ndryshimin e nevojave të biznesit, dhe me përmirësimin e teknologjive, do të vazhdojë të ketë standarde të reja që do të krijohen për të përkrahur tregun si dhe zbulimet e reja që udhëheqin shpenzimet e ndërmarrjeve. Teknologjitë dhe standardet tjera të LAN rrjetave pa tela që janë në përdorim sot përfshijnë:
• HomeRF
• Bluetooth
• Infrared dhe
• OpenAir
HomeRF
Home RF vepron në brezin prej 2.4 GHz dhe përdorë teknologjinë e kërcimit të frekuencës. Pajisjet me Home RF kërcejnë në rreth 50 kërcime në sekondë – pra rreth 5 deri 20 herë më shpejtë se shumica e FHSS pajisjeve që janë në përputhje me 802.11. Versioni i ri i HomeRF, i quajtur HomeRF 2.0 përdorë rregulla të reja të kërcimit të frekuencave të njohura si “brez i gjerë” të cilat janë të aprovuara nga FCC, dhe është i parë që ka përdorur një të këtillë. Këto rregulla të implementuara pas vitit 2000, përfshijnë:
• Frekuencë maksimale të bartësit brezë-gjerë prej 5 MHz
• Minimumin e 15 kërcimeve brenda një sekuence
• Maksimumin e fuqisë dalëse prej 125 mW
Për shkak se HomeRF mundëson një rritje në krahasim me bartësit e mëhershëm që kishin brez prej vetëm 1 MHz, dhe për shkak të fleksibilitetit gjatë implementimit të më pak se 74 kërcime që nevojiteshin më herët, mund të arrihet në konkludim se kërcimi brez-gjerë i frekuencës do të bëhet mjaft i popullarizuar në mes korporatave dhe prodhuesve. Kjo, sidoqoftë, nuk është rasti.
Edhe pse ka përparësinë e transferimit të 10 Mbps, ai nuk mund të tejkalojë fuqinë dalëse prej 125 mW, gjë që kufizon përdorimin e frekuencës kërcyese brez-gjerë në krejtësisht 50 metra. Ky rezultat kufizon përdorimin e pajisjeve me frekuencë kërcyese brezë-gjerë kryesisht në SOHO ambiente.
Pajisjet HomeRF përdorin protokollon SWAP, i cili është kombinim e protokollit CSMA (që përdoret tek rrjetat lokale) dhe TDMA (që përdoret te rrjetat telefonike). SWAP është hibrid i 802.11 dhe standardit DECT dhe ishte i zhvilluar nga grupi punues për HomeRF.
Pajisjet e HomeRF janë momentalisht të vetmet pajisje që gjenden momentalisht në treg e që përcjellin rregullat e frekuencave kërcyese për brez të gjerë. Pajisjet HomeRF konsiderohen më të sigurta se produktet 802.11 që përdorin enkriptimin WEP për shkak të vektorit inicializues 32-bitësh që përdorë HomeRF. Përveç kësaj, HomeRF specifikon se si këta vektorë duhen zgjedhur gjatë enkriptimit, derisa 802.11 nuk e bënë këtë gjë, dhe e lërë 802.11 të hapur për sulmet për shkak të implementimeve të dobëta.
Bluetooth
Bluetooth është edhe një teknologji e kërcimit të frekuencave që vepron në ISM brezin prej 2.4 GHz. Norma e kërcimit të pajisjeve Bluetooth është rreth 1600 kërcime për sekond, kështu që ka dukshëm më shumë ngarkesë se sa sistemet e pajtueshme me 802.11. Norma e lartë e kërcimit gjithashtu i jap teknologjisë rezistencë më të madhe ndaj zhurmës së theksuar të brezit të ngushtë. Bluetooth sistemet nuk janë të dizajnuara për ngarkesa të mëdha, por më shumë për përdorim të thjeshtë, fuqi të vogël, dhe distanca të vogla. Drafti i ri i IEEE 802.15 përfshin specifikimin për Bluetooth.
Një disavantazh i madh i përdorimit të teknologjisë Bluetooth është se ajo tenton që krejtësisht të pengojë punën e rrjetave tjera 2.4 GHz. Norma e lartë e kërcimit të Bluetooth mbi tërë brezin prej 2.4 GHz e bën që sinjali i Bluetooth për të gjitha sistemet tjera të paraqitet sikurse zhurmë në të gjitha brezat. Bluetooth gjithashtu ndikon edhe sistemet tjera FHSS. Pengesat në të gjitha brezat, siç mund të kuptohet, pengojnë sinjalet mbi tërë brezin e frekuencave të përdorueshme, duke bërë kështu që sinjalet kryesore të duket të padobishme. Në anën tjetër pengesat e shkaktuara nga kundër-pengesat e shkaktuara nga LAN rrjetat pa tela nuk ndikojnë fare pajisjet Bluetooth në mënyrën në të cilën Bluetooth ndikon te pajisjet që punojnë sipas standardit 802.11. Tashmë është bërë e zakonshme që ngjitësit “Ndalohet përdorimi i Bluetooth” të vendosen në zonat ku ka LAN rrjeta pa tela.
Pajisjet Bluetooth veprojnë në tri klasa të fuqisë: 1 mW, 2.5 mW dhe 100 mW. Momentalisht janë fare pak implementime të pajisjeve të klasës së tretë (100 mW), sidoqoftë pajisjet e klasës së dytë (2.5 mW) kanë shtrirje deri në 10 metra. Natyrisht, nëse kërkohet zgjerim i zonës së mbulimit, përdorimi i antenave direkcionale është i zgjidhje që mund të konsiderohet, edhe pse pajisjet që përdorin Bluetooth janë zakonisht pajisje mobile.
Infrared Data Association (IrDA)
IrDA nuk është standard sikurse Bluetooth, HomeRF dhe seria e standardeve 802.11, më shumë IrDA është një organizatë. E themeluar në Qershor të vitit 1993, IrDA është organizatë e financuar nga anëtarët karteli i të cilëve është “krijimi i një standardi interoperabil, çmim-ulët, fuqi-ulët, gjysmë-dupleks, me lidhje serike që do të përkrahte modelin shëtitës shfrytëzues-shfrytëzues që do të ishte i adoptueshëm për një numër të madh të pajisjeve kompjuterike”. Transmetimi i të dhënave me reze infra-të-kuqe është i njohur më së shumit nga përdorimi i tyre në kalkulatorë, shtypës, disa rrjeta në mes ndërtesave si dhe brenda tyre dhe tani së fundi te kompjuterët e dorës.
Infrared (IR) është teknologji e transmetimit e bazuar në dritë dhe nuk është spektër i gjerë – teknologjitë me spektër të gjerë përdorin RF rrezatim. Pajisjet IR mund të arrijnë norma të transferim të dhënave prej 4 Mbps në distanca të vogla, por pasi që është teknologji i bazuar në dritë, burimet tjera të dritës IR mund të përzihen me transmetimin IR. Norma e zakonshme e transferimit për një pajisje IR është rreth 115 kbps, që është mjaft e mirë për pajisjet mobile. Një përparësi e theksuar e rrjetave IR është se ato nuk pengojnë RF rrjetat e spektrit të gjerë. Për këtë arsye, këto të dyja janë komplementare dhe shumë lehtë mund të përdoren së bashku.

