Thread Rating:
  • 0 Vote(s) - 0 Average
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
Rrjetat Kompjuterike
#3
[Image: voip-logo.jpg]

VoIP - Voice Over IP

Novacionet teknologjike prapë vërvitin mbi ne, kësaj here përmes përmirësimit të mënyrës në të cilën komunikojmë, duke sjellë me vete mundësi të reja që ndryshojnë kuptimin e frazës thirrje telefonike. Emri ii kësaj teknologjie të re është VoIP. VoIP, është shkurtesë për shprehjen në gjuhën angleze “voice over Internet Protocol” që në përkthim do të thotë “zë përmes protokollit të internetit”, që mund të shpjegohet edhe si zë i transmetuar përmes rrjetës digjitale. Edhe pse interneti nuk është medoemos i nevojitur për VoIP, në fillim të përdorimit interneti ishte i patjetërsueshëm. Çfarë nevojitet për teknologjinë e VoIP është përdorimi i protokolleve të njëjta si ato të Internetit.

Protokollet janë grupe të rregullave që përdoren për të mundësuar komunikim të përpiktë. Kështu, zëri përmes protokollit të Internetit nënkupton zërin i cili udhëton me mjetet e protokolleve të njëjta që përdoren në Internet.

VoIP – telefoni e bazuar në Internet

VoIP shpesh referohet edhe si IP telefoni (IPT) për shkak se përdor protokollin e Internetit për të mundësuar komunikime të avancuara me zë. Protokollet e Internetit janë baza e IP rrjetave, të cilat përkrahin rrjetat e ndërmarrjeve, private, publike, kabllore madje edhe ato pa tela. VoIP bashkon lokacionet e ndryshme të organizatave – duke përfshirë punëtorët mobil – në një rrjetë të puqur të komunikimeve dhe siguron një varg të shërbime dhe funksioneve të përkrahjes të patejkalueshme në botën e telefonisë.
VoIP është një metodë për shndërrimin e audio sinjaleve analoge, sikurse që është zëri ynë kur flasim në telefon, në të dhëna digjitale që mund të transmetohen përmes Internetit. VoIP është jashtëzakonisht i dobishëm, për shkak se mund të shndërrojë një lidhje të zakonshme të Internetit në mënyrë për të bërë thirrje telefonike pa pasur nevojë për pagesë. Rezultati praktik i kësaj është se përmes përdorimit të disa nga VoIP softuerë pa pagesë përmes të cilëve mund të bëjmë thirrje telefonike përmes Internetit, tërësisht mund të anashkalohen kompanitë telefonike dhe tarifat e tyre.
VoIP është teknologji revolucionare e cila ka potencial të krijojë një rrjetë të re të sistemeve telefonike në botë. VoIP provajderët janë gjithnjë në rritje të ngadalë por të sigurt. Kompanitë kryesore të telefonisë janë tashmë duke aplikuar VoIP plane në tregjet e ndryshme në SHBA, dhe janë duke shqyrtuar mundësitë potenciale për degëzimet e shërbimeve VoIP.
Mbi të gjitha, VoIP parimisht është një “ri-inovacion i rrotës” mirëpo paksa më i mençur. Në këtë punim ne do të shtjellojmë parimet që qëndrojnë pas VoIP protokollit, aplikacionet e tyre si dhe potencialin e kësaj teknologjie në zhvillim e sipër, e cila pa dyshim një ditë do të zëvendësojë plotësisht sistemin tradicional të telefonisë.
Gjëja interesante rreth VoIP është se ekzistojnë disa mënyra për të bërë thirrje. Ekzistojnë tri “mënyra” të përdorimit të shërbimit VoIP sot:
• ATA – mënyra më e thjeshtë dhe më e zakontë është përdorimi i pajisjes së quajtur ATA (adaptor i telefonit analog). ATA mundëson kyçjen e telefonit standard në kompjuter ose në lidhjen e Internetit për përdorim me VoIP. ATA është një konvertor analog-digjital. Ai merr sinjalin analog nga telefoni tradicional dhe e konverton në të dhëna digjitale për transmision nëpër Internet. Provajderët e ndryshëm janë duke ia bashkangjitur ATA-në pa pagesë shërbimeve të tyre. Adaptorin thjesht duhet nxjerrë nga kutia, dhe pastaj kabllon e telefonit i cili zakonisht kyçet në mur duhet kyçur në prizën në ATA, dhe më pastaj mund të bëjmë VoIP thirrje. Disa ATA adaptorë nganjëherë kanë softuer shtesë i cili mund të instalohet në kompjuter për ta bërë konfigurimin, por edhe kjo është gjithashtu një procedurë e thjeshtë.
• IP telefonat – këta telefona special duke krejtësisht sikurse telefonat normal me dorëz, djep dhe susta. Por në vend të spinës së zakonshme të telefonit (RJ-11), IP telefonat kanë spina të Internetit RJ-45. IP telefonat kyçen drejtpërdrejtë në rauter dhe kanë të gjithë harduerin dhe softuerin që i nevojitet për të mundësuar një IP thirrje. Wi-Fi telefonat mundësojnë thirrësit të bëjnë VoIP thirrje prej cilësdo Wi-Fi pikë.
• Kompjuter-me-kompjuter – kjo është padyshim mënyra më e lehtë për të përdorur VoIP. Madje as nuk ka nevojë të paguhet për thirrjet jashtë vendit. Ekzistojnë disa kompani të cilat ofrojnë softuer pa pagesë ose me pagesë minimale i cili mundëson një përdorim të këtillë të VoIP-së. Krejt çfarë i nevojitet përdoruesit janë mikrofoni, dëgjueset, kartela e zërit dhe një lidhje e Internetit, mundësi një sa më e shpejtë sikurse që janë ato me kabllo apo DSL modem. Përveç tarifave të zakonshme të pagesës së internetit zakonisht nuk ka nevojë për pagesë shtesë për thirrjet kompjuter-me-kompjuter pa marrë parasysh distancën në të cilën është bërë thirrja.

Përdorimet e VoIP-së

VoIP sa herë që bëjmë thirrje të largëta. Kompanitë telefonike përdorin VoIP. Duke kaluar me mijëra telefonata nëpër shkëmbyes qarkorë dhe në IP portës, ata mund të ulin dukshëm brezin që përdorin për ngarkesë. Pasi të pranohet thirrja nga porta në anën tjetër të thirrjes, ajo dekompresohet, ri-paketohet dhe kalohet në shkëmbyesin qarkor lokal.
Edhe pse kjo mund të zgjasë, ka gjasa të mëdha se të gjitha rrjetat me shkëmbyes-qarkorë do të zëvendësohen me teknologji të shkëmbimit-të-pakove. IP telefonia thjesht ka kuptim, në terme të kërkesave ekonomike si dhe atyre infrastrukturore. Gjithnjë e më shumë biznese janë duke instaluar sisteme VoIP, dhe teknologjia do të vazhdojë të fitoj popullaritet me rritjen e prezencës së saj në shtëpitë tona.
Ndoshta joshja më e madhe për përdorimin e VoIP-së në shtëpi mund të jenë kostoja dhe fleksibiliteti i këtij sistemi. Me VoIP, mund të bëhen thirrje prej kudo që keni lidhje broadband. Për shkak se IP telefonat ose ATA-të transmetojnë informatat e tyre përmes internetit, ata mund të administrohen nga provajderi prej kudo që ka lidhje. Kështu që biznes udhëtuesit mund të marrin telefonat apo ATA-të e tyre me veti në udhëtime dhe gjithmonë të kenë qasje në telefonin e tyre shtëpiak. Një alternativë tjetër është softphone. Softphone është një softuer klient i cili ngarkon shërimin e VoIP në kompjuterin desktop apo llaptop të shfrytëzuesit. Disa kompani që ofrojnë shërbimin VoIP e realizojnë softuerin softphone në formën e telefonit tradicional në desktop të shfrytëzuesit. Për sa kohë të keni një palë dëgjuese/mikrofon, mund të bëhen thirrje prej kompjuterit kudo të botën e kyçur në lidhjen broadband.
Shumica e VoIP kompanive ofrojnë plane në bazë-minuti që kanë strukturën e faturave të telefonisë mobile. Shumica e kompanive gjithashtu ofrojnë edhe funksione për të cilat kompanitë e zakonshme vendosin tarifa shtesë për shtimin e tyre në planin ekzistues të shërbimit. VoIP përfshin:
• ID-n e thirrësit
• Thirrjen në pritje
• Transferimin e thirrjes
• Thirrjen e përsëritur
• Thirrjen kthyese
• Thirrjen në tri-mënyra
Ekzistojnë edhe funksione të avancuara të filtrimit-të-thirrjes që janë në dispozicion tek disa nga bartësit. Këto funksione përdorin informatën e ID-së së thirrësit për të mundësuar marrjen e vendimit mbi trajtimin e thirrjes që vjen nga një numër i veçantë. Mundësitë tjera janë:
• Kalimi i thirrjes në një numër tjetër
• Dërgimi i thirrjes drejtpërdrejtë në posten-me-zë
• Dhënia e sinjalit “të zënë” për thirrësin
• Përgjigja “nuk ka qasje në rrjetë”
• Dërgimi i thirrësit në ndonjë qendër qesharake të thirrjeve
Me shumë shërbime VoIP, gjithashtu mund të kontrollohet posta me zë përmes uebit apo mesazheve të bashkangjitura në një e-mail i cili dërgohet në kompjuter apo kompjuter-dore. Jo të gjitha shërbime VoIP ofrojnë të gjitha funksionet që i përmendëm më lartë. Çmimet dhe shërbimet ndryshojnë, varësisht prej operatorit.

Sistemi tradicional telefonik

Në vazhdim të punimit do të shqyrtojmë më për së afërmi komponentët që e vejnë sistemin në punë. Për të kuptuar mirë mënyrën e punës së VoIP-së dhe pse është kjo teknologji një përmirësim në krahasim me sistemin tradicional telefonik, është mirë që së pari të paraqesim mënyrën e punës së sistemit tradicional telefonik.
Sistemet ekzistuese telefonike janë të udhëhequra nga një metodë mjaft e sigurt por paksa jo-efikase për lidhjen e thirrjeve e quajtur shkëmbimi qarkor.
Shkëmbimi qarkor është një koncept bazik që është përdorur nga rrjetat telefonike për më shumë se 100 vite. Kur bëhet thirrja në mes të dy palëve, lidhja mbahet e hapur për aq gjatë për sa zgjatë telefonata. Për shkak se bëhet lidhja e dy pikave në të dy drejtimet, lidhja quhet qark. Kjo është baza e Rrjetës Shkëmbyese Telefonike Publike.
Ja se si vepron një thirrje e zakontë telefonike:
1. Thirrësi merr dëgjuesen dhe e pret sinjalin për thirrje. Kjo nënkupton se ekziston lidhja me zyrën lokale e bartësit lokal të telefonisë.
2. Thirrësi e formon në numëratore numrin me të cilin dëshiroj të komunikojë.
3. Thirrja kalohet përmes shkëmbyesit pranë bartësit lokal deri te pala që kërkohet.
4. Lidhja formohet në mes telefonit të thirrësit dhe linjës së palës tjetër duke përdorur disa shkëmbyes të ndërlidhur.
5. Telefoni në anën tjetër cingëron, dhe ndokush i përgjigjet thirrjes.
6. Lidhja e hap qarkun.
7. Pas dialogut thirrësi e ul receptorin.
8. Kur ulet receptori mbyllet dhe qarku, duke liruar linjën e thirrësit si dhe të gjitha linjat tjera që u përdoren.
Po e zëmë që biseda ka zgjatur 10 minuta. Gjatë kësaj kohe, qarku është tërë kohën i hapur në mes të dy telefonave. Në sistemet e hershme telefonike, deri kah vitet e 1960-ta, secila thirrje patjetër është dashur të kishte një kabllo të dedikuar që shkonte prej njërit skaj të thirrjes deri në tjetrin.
Bisedat telefonike që bëhen përmes rrjetave tradicionale të së sotmes janë paksa më efikase dhe kushtojnë më pak. Zëri është i digjitalizuar, dhe madje mijëra zëra mund të kombinohen në një kabllo të vetme fiber-optike për pjesën më të madhe të udhëtimit (edhe pse ende ekziston një pjesë e kabllos së bakrit që është e kyçur deri në shtëpinë e shfrytëzuesit).
Këto thirrje transmetohen në një normë fikse prej 64 Kbps në secilin drejtim, për një transmision total prej 128 Kbps. Për shkak se janë 8 kilobit (Kb) në një kilobajt (KB), kjo mund të përkthehet në transmision prej 16 KB për çdo sekondë që qarku të jetë i hapur, dhe në 960 KB për çdo minutë që ai është i hapur. Në një bisedë prej 10 minutash, transmisioni total është 9,600 KB, që përafërsisht është e barabartë me 10 megabajt.

VoIP – shkëmbimi i pakove


Rrjeta telefonike pa shkëmbim të pakove është alternativë ndaj shkëmbimit qarkorë. Ajo funksionon si vijon: derisa njëra palë flet, ana tjetër është duke dëgjuar, që do të thotë se vetëm gjysma e lidhjes është në përdorim në çdo moment kohorë. Duke u bazuar në këtë, mund të hamendësojmë se do të mund të ndajmë fajllin në gjysmë, pra diku në rreth 4.7 MB, për efikasitet.
Përveç kësaj, një sasi e konsiderueshme e kohës në shumicën e bisedave është ajër i vdekur – me nga disa sekonda kohë asnjë palë nuk flet. Nëse do të kishim mundësi të largojmë këto intervale të heshtjes, fajlli do të mund të bëhej edhe më i vogël. Pastaj, në vend se të dërgojmë një rrjedhë të vazhdueshme të bajtëve (si të zhurmshëm ashtu dhe të atyre të qetësisë), mundë konsiderojmë vetëm dërgimin e bajtëve me zhurmë në momentin e krijimit të tyre.
Rrjetat kompjuterike nuk përdorin shkëmbim qarkorë. Lidhja e internetit do të ishte shumë e ngadalë nëse ajo do të mbante lidhje konstante me ueb faqen që jemi duke shikuar në cilëndo kohë. Në vend të kësaj, rrjetat kompjuterike thjeshtë dërgojnë dhe pranojnë pako sipas nevojës. Dhe, në vend të përcjelljes së të dhënave përmes linjës së dedikuar, pakot me të dhëna lundrojnë nëpër një rrjetë kaotike përmes mijëra udha të mundshme. Kjo njihet si shkëmbim i pakove.
Derisa shkëmbimi qarkorë e mban lidhjen të hapur dhe konstante, shkëmbimi i pakove hap një lidhje të shkurtë – aq të gjatë sa i nevojitet të dërgojë një copë të shënimeve, që quhet pako, prej një sistemi në tjetrin. Kjo funksionon si vijon:
• Kompjuteri dërgues i copëton të dhënat në pako të vogla, me një adresë në secilin prej tyre e cila tregon pajisjet e rrjetës në të cilën ata duhen dërguar.
• Brenda secilës pakë ndodhet një ngarkesë. Ngarkesa është pjesë e e-mailit, fajllit të muzikës ose çfarëdo lloji i fajllit që po transmetohet brenda pakos.
• Kompjuteri dërgues e dërgon pakon pranë rauterit më të afërm. Rauteri pastaj e dërgon pakon tek një rauter tjetër i cili ndodhet më afër kompjuterit të pranuesit.
• Kur kompjuteri pranues më në fund pranon pakot (ku të gjithë mund të kenë marrë rrugë krejtësisht të ndryshme për të ardhur deri te ai), ai përdor instruksionet që ndodhen brenda pakove për ti ri-bashkuar të dhënat në gjendjen origjinale.
Shkëmbimi i pakove është teknologji jashtëzakonisht efikase. Ajo mundëson rrjetën të drejtojë pakot përmes linjave më pak të ngarkuara si dhe më të lira. Ajo gjithashtu liron të dy kompjuterët që komunikojnë njëri me tjetrin ashtu që ata të mund të pranojnë informata nga kompjuterët tjerë gjithashtu.


Avantazhet e VoIP-së


Teknologjia VoIP përdorë aftësitë e shkëmbimit të pakove të Internetit për të mundësuar shërbimin e telefonisë. VoIP ka disa avantazhe mbi shkëmbimin qarkorë. Për shembull, shkëmbimi i pakove lejon disa thirrje telefonike të përdorin hapësirë të njëjte me vetëm një thirrje në rrjetën me shkëmbim qarkorë. Ne rrjetën e zakonshme telefonike, biseda telefonike prej 10 minutave mund të konsumojë 10 minuta të kohës transmetuese me një çmim prej 128 Kbps. Me VoIP, e njëjta thirrje mund të kishte konsumuar vetëm 3.5 minuta të kohës së transmetimit me koston prej 64 Kbps, duke lënë 64 Kbps të tjera të lira për 3.5 minuta të thirrjes tjetër, plus 128 Kbps shtesë për 6.5 minutat e mbetura. Duke u bazuar në këtë përllogaritje të thjeshtë, tre deri katër thirrje të tjera do të mund me lehtësi të kalonin nëpër hapësirën e njëjtë të përdorur nga vetëm një thirrje në sistemin konvencional. Dhe ky shembull madje nuk përdor faktorin e kompresimit të të dhënave, i cili më tutje e zvogëlon madhësinë e secilës thirrje.
Të themi se dy njerëz kanë shërbim të VoIP të ofruar nga kompania e Internetit. Të dy ata kanë telefona analog të kyçur në shërbim përmes ATA-ve. Të shohim edhe një shembull të thirrjes së zakonshme, por kësaj here në mënyrën në të cilën ajo ndodh kur përdoret VoIP mbi një rrjetë me shkëmbim të pakove:
1. Thirrësi ngrit receptorin, i cili e dërgon sinjalin për ATA-në.
2. ATA pranon sinjalin dhe dërgon zërin për thirrje. Kjo i bën me dije thirrësit se ka lidhjen për në Internet.
3. Thirrësi e formon numrin e palës me të cilën dëshiron të flas. Tonet konvertohen nga ATA në të dhëna digjitale dhe deponohen përkohësisht.
4. Të dhënat mbi numrin dërgon në formë të kërkesës për përpunuesin e thirrjeve të kompanisë ofruese të VoIP shërbimit. Përpunuesi e kontrollon për tu siguruar se ai është në formatin e duhur.
5. Përpunuesi i thirrjeve përcakton se kujt të ia dërgojë thirrjen. Në dërgim, numri i telefonit përkthehet në IP adresë. Shkëmbyesi i butë lidh dy pajisjet në secilin skaj të bisedës. Në anën tjetër, një sinjal i dërgohet ATA-së së palës së thirrur, duke i thënë për ti bjerë ziles së telefonit të thirrur.
6. Kur pala e thirrur e ngrit receptorin, një sesion krijohet në mes kompjuterëve të të dyja palëve. Kjo do të thotë se secili sistem duhet të jetë në gjendje të pranojë pako me të dhëna prej sistemit tjetër. Në mes, infrastruktura normale e Internetit manovron thirrjen sikurse ai të ishte e-mail apo ueb faqe. Secili sistem duhet përdorë të njëjtin protokoll për të komunikuar. Sistemet implementojnë dy kanale, njërin për secilin drejtim, si pjesë të sesionit.
7. Biseda mund të zgjatë disa minuta. Gjatë bisedës, të dy sistemet shkëmbejnë pako në mes tyre kur ka të dhëna që duhen dërguar. ATA-të në secilin skaj përkthejnë këto pako me pranimin e tyre në audio sinjal analog i cili mund të dëgjohet. ATA mbajnë të hapur qarkun në mes tyre dhe biseduesve derisa bëjnë përcjelljen e pakove në dhe prej IP hostit në anën tjetër të bisedës.
8. Pas përfundimit të bisedës ulën receptorët.
9. Pas uljes së receptorit, qarku mbyllet në mes të telefonave dhe ATA-ve.
10. ATA i dërgon sinjal shkëmbyesit të butë i cili mbante të hapur thirrjen, ta përfundojë sesionin.
Me gjasë një nga avantazhet më tërheqëse të shkëmbimit të pakove është se rrjetat e të dhënave tashmë nuk kanë problem me teknologjinë e re. Duke e migruar këtë teknologji, rrjetat telefonike në çast fitojnë mundësinë e komunikojnë në të njëjtën mënyrë me kompjuterët.
Mund të kalojnë dhe disa vite para se kompanitë e komunikimeve të bëjnë kalim të plotë në VoIP. Sikurse që ndodh dhe me të gjitha teknologjitë tjera të reja, janë disa pengesa që duhen tejkaluar për të cilat do të flasim më shumë në vazhdim të punimit.

Disavantazhet e VoIP-së

Rrjetat aktuale telefonike janë sisteme të fuqishme dhe të papërshkueshme për realizimin e thirrjeve telefonike. Në anën tjetër, kompjuterët, e-maili dhe pajisjet tjera të ngjashme janë ende leskërohen. Një nga disavantazhet më të mëdha të VoIP-së është serioziteti ku faktorët kyç janë:
• Së pari, ViIP varet nga rryma e qytetit. Sistemi aktual telefonik realizohet me rrymë që furnizohet nga zyrat e kompanive të telekomunikimit. Madje edhe nëse ndërpritet rryma telefonia publike do të jetë ende funksionale. Te VoIP, kur nuk ka rrymë atëherë nuk ka as telefoni. Kjo nënkupton automatikisht nevojë për krijimin e një burimi të stabil të rrymës të dedikuar për VoIP.
• Një konsideratë tjetër është se shumë sisteme tjera në shtëpi mund të jenë të integruara në linjën telefonike. Video incizuesit digjital, shërbimet TV me parapagim dhe sistemet e sigurisë së shtëpisë të gjitha mund të jenë duke përdorur linjën standarde telefonike për të bërë gjënë e tyre. Momentalisht nuk ka mënyrë për të integruar të gjitha këto produkte në VoIP.
• Thirrjet emergjente gjithashtu bëhen të vështira me VoIP. Siç u tha më herët, VoIP përdorë numra telefonik të adresuar sipas IP-së kështu që nuk ka adresë të shoqëruar gjeografike me një IP adresë. Kështu që nëse ndokush që thërret nuk është në gjendje të tregojë lokacionin e tij të saktë, atëherë nuk ka mënyrë për të ditur prej nga ka ardhur thirrja. Për të rregulluar këtë gjë, ndoshta informata gjeografike do të mund të vendoseshin disi në pako që bartin të dhënat.
• Për shkak se VoIP përdor linjën e Internetit ai është i prekshëm nga të gjitha problemet që zakonisht shoqërojnë shërbimet shtëpiake broadband. Të gjithë këta faktorë ndikojnë në kualitetin e thirrjes:
o Latenca
o Shqetësimet
o Humbja e pakove
Bisedat telefonike mund të shtrembërohen, ngatërrohen ose humben për shkak të gabimeve në transmision. Ndonjë lloj i stabilitetit në mënyrat e transferimit të pakove në internet duhet të garantohet përpara se VoIP të mund vërtetë të zëvendësonte linjat tradicionale telefonike.
• VoIP është i prekshëm edhe nga krimbat, viruset dhe hakimi, edhe pse janë të rralla rastet dhe zhvilluesit e VoIP janë duke punuar në mënyrat e ndryshme të enkriptimit të VoIP-së për të iu kundërvënë kësaj.
• Një çështje tjetër e shoqëruar me VoIP është se ky sistem telefonik është i varuar nga PC-të individuale që kanë specifikime dhe fuqi të ndryshme. Thirrja mund të ndikohet edhe nga shterimi i procesorit. Po e zëmë se jemi duke biseduar përmes kompjuterit, dhe vendosim të hapim një program i cili e thanë procesorin. Humbja e kualitetit do të jetë evidente menjëherë. Në rastin më të keq, kompjuteri mund të kërcet dhe dështojë në mes të një bisede të rëndësishme. Në VoIP, të gjitha thirrjet telefonike janë të ndjeshme ndaj kufizimeve të zakonshme të kompjuterit.
Një nga pengesat që u kapërcye para disa kohe ishte shndërimi i audio sinjalit analog të telefonit në pako me të dhëna. Msheftësia e kësaj të fundit qëndron në VoIP kodeksa të cilat do të shtjellojmë në vazhdim.

Kodek-ët e VoIP-së

Kodek-u, që ka marrë emrin nga shkurtesa për kodim-dekodim, konverton një audio sinjal në formë digjitale të ngjeshur për transmision dhe prapë kthim në formë të pa-ngjeshur për audio sinjal për përgjigje.
Kodek-ët bëjnë konvertimin duke krijuar mostra të audio sinjalit disa mijëra herë për sekondë. Për shembull kodek-u G.711 bën audio mostra në 64,000 herë në sekond. Ai konverton secilën mostër të vogël në të dhënë digjitale dhe e ngjesh atë për transmision. Kur 64,000 mostra ri-bashkohen, audio pjesët që mungojnë në mesin e secilës mostër janë aq të vogla sa që për veshin e njeriut, çdo gjë tingëllon sikurse një sekondë e vazhdueshme e audio sinjalit. Ekzistojnë norma të ndryshme të krijimit të mostrave në përdorimet e ndryshme të VoIP-së varësisht nga lloji i kodek-ut:
• 64,000 herë në sekondë
• 32,000 herë në sekondë
• 8,400 herë në sekondë
Kodek-u G.729A ka një normë të krijimit të mostrave prej 8,000 herë në sekondë dhe është kodek-u më i përdorur në VoIP komunikime.
Kodek-ët përdorin algoritme të avancuara për të ndihmuar marrjen e mostrave, rradhitjen dhe paketimin e audio të dhënave. Algoritmi CS-ACELP është një nga algoritmet më mbizotërues në VoIP. CS-ACELP organizon dhe udhëheq brezin në dispozicion. Aneksi B është një aspekt i CS-ACELP-së i cili krijon rregullin e transmisionit, parimisht thotë “nëse askush nuk flet, mos dërgo pako me të dhëna”. Efikasiteti i krijuar nga ky rregull është një nga mënyrat më të mira në të cilat shkëmbimi i pakove është më i mirë se shkëmbimi qarkorë. Është Aneksi B në algoritmin CS-ACELP që është përgjegjës për atë aspekt të një thirrje VoIP.
Kodek-u punon me algoritmin për të konvertuar dhe rradhitur çdo gjë, por nuk mund të funksionojë pa e ditur se ku duhet të dërgojë të dhënat. Në VoIP, kjo detyrë menaxhohet nga shkëmbyesit e butë.
E.164 është emri i cili i është dhënë standardit të Planit Amerikano-Verior të Numërimit. Ky është sistemi i numërimit të cilin e përdorin rrjeta telefonike për të ditur se ku duhet dërguar thirrjen duke u bazuar në numrin e thirrur. Numri i telefonit është sikurse një adresë:
(313) 555-1212
313 = Shteti
555 = Qyteti
1212 = Adresa e rrugës
Shkëmbyesit përdorin “313” për të drejtuar thirrjen telefonike në regjionin e kodit. Prefiksi “555” dërgon thirrjen në zyrën qendrore, dhe rrjeta e drejton thirrjen duke përdorur katër shifrat e fundit, të cilat shoqërohen me lokacionin e veçantë. Duke u bazuar në këtë sistem, pa marrë parasysh se ku gjendeni në botë, kombinimi i numrave “(313) 555” gjithmonë ju dërgon në të njëjtën zyrë qendrore, e cila ka një shkëmbyes i cili e di se cili telefon është i shoqëruar me “1212”.
Sfida me VoIP është se rrjetat e bazuara në protokollin IP nuk lexojnë numrat e telefonit duke u bazuar në planin e numërimit për Amerikën Veriore. Ato kërkojnë për IP adresa, të cilat duken si kjo:
192.158.10.7
IP adresat i korrespondojnë pajisjeve të caktuara në rrjetë sikurse që janë kompjuteri, routeri, switch-i, gateway-i ose telefoni. Sidoqoftë, IP adresat nuk janë gjithmonë statike. Ato caktohen nga DHCP serverët në rrjetë dhe ndryshojnë me secilën kyçje të re. Sfida e VoIP-së është përkthimi i numrave të telefonit në IP adresa dhe pastaj gjetja e IP adresës momentale të numrit të kërkuar. Ky proces i hartimit bëhet nga njësia qendrore e përpunimit të thirrjeve që ekzekuton shkëmbyesin e butë.
Procesori qendror i thirrjeve është harduer i cili ekzekuton një program të specializuar të bazës së të dhënave/hartimit i cili quhet shkëmbyes i butë. Mund të mendojmë për shfrytëzuesin dhe telefonin ose kompjuterin si një pako unike – njeriu dhe makina. Kjo pako quhet pika e skajshme.

Shkëmbyesi i butë bën ndërlidhjen e pikave të skajshme.
Shkëmbyesit e butë e dinë:
• Ku ndodhen pikat e skajshme në rrjetë
• Cili numër i telefonit është i shoqëruar me pikën e skajshme të caktuar
• IP adresën momentale të pikës së skajshme.


Protokollët sinjalizues të VoIP-së

Siç u tha edhe më lartë, në secilin skaj të një VoIP thirrje kemi ndonjë kombinim të telefonit analog, të butë apo IP që kanë rolin e një ndërlidhësi për shfrytëzuesit, ATA-të apo softuerë klient që funksionojnë me ndonjë kodek për të manipuluar konvertimin digjitalo-analog, dhe shkëmbyes të butë që bëjnë hartimin e thirrjeve. Si mund të bëhen të gjitha këto pajisje krejtësisht të ndryshme harduerike të komunikojnë në mënyrë efikase për të bërë një VoIP thirrje? Përgjigja qëndron te protokollet.
Ekzistojnë disa protokolle që momentalisht përdoren nga VoIP. Këto protokolle përcaktojnë mënyrat në të cilat pajisjet sikurse kodek-ët lidhen njëri për tjetrin dhe pastaj në rrjetë duke përdorur VoIP-në. Ata gjithashtu përmbajnë specifikime për audio kodekë. Protokolli më i përdorur është H.323, një standard ky i krijuar nga Unioni Ndërkombëtarë i Telekomunikimit (ang. ITU).
Përveç protokollit H,323 do të diskutojmë edhe për protokollin SIP si dhe për protokollet e kontrollimit të gateway-it. Një nga sfidat më të mëdha që presin përdorimin më të gjerë të VoIP-së është se këto tri protokolle nuk janë gjithmonë kompatibil. VoIP thirrjet që kalojnë nëpër disa rrjeta mund të ngecin nëse janë në përdorim protokolle që janë kanë konflikt mes vete. Për shkak se VoIP është teknologji relativisht e re, kjo çështje e kompatibilitetit do të vazhdojë të jetë problem derisa ndonjë trup udhëheqës të krijojë një protokoll standard universal për VoIP.

H.323

H.323 është një protokoll gjithëpërfshirës dhe shumë kompleks që fillimisht ishte dizajnuar për përdorim në video konferenca. Ai jap specifikime për video-konferencim interaktiv, ndarje të dhënave dhe audio aplikacione në kohë reale siç është VoIP. Aktualisht suita e protokolleve H.323 përfshinë shumë protokolle individuale që janë zhvilluar për aplikacionet e veçanta. 
Aktualisht suita e protokolleve H.323 përfshinë shumë protokolle individuale që janë zhvilluar për aplikacionet e veçanta.

[Image: ?di=112993306802]

Siç shihet nga tabela, H.323 është një koleksion i madh i protokolleve dhe specifikimeve. Kjo i lejon atij të përdoret për shumë aplikacione. Problemi me H.323 është se ai nuk është në veçanti i krijuar për qëllime të VoIP-së.
Përveç protokolleve të cilat janë nën ombrellën e H.323, H.323 gjithahtu përkufizon edhe komponentet e ndryshme harduerike si në figurën më poshtë.

Terminalet


Një H.323 terminal kryen rolin e pikës së fundme në një bisedë dhe komunikon me një H.323 terminal tjetër. Duhet vënë re se pajisjet siç është telefoni Cisco IP nuk konsiderohen terminale për shkak se këto lloje të telefonëve nuk kanë tërë spektrin e funksioneve të H.323. Një kompjuter që ekzekuton softuerin Microsoft NetMeeting për shembull, mund të konsiderohet si një H.232 terminal.

Gateway-ët


Rauter-ët e Ciscos mund të punojnë si H.323 gateway (duke përdorur sistem të caktuar operativ nga Cisco). Një H.323 gateway bën përkthimin në të dyja anët të audio formateve të ndryshme (për shembull, VoIP dhe zë digjital që udhëton nëpër qarkun T1).

Gatekeeper-ët


Shumë VoIP thirrje që lundrojnë nëpër WAN mund të mbingarkojnë (respektivisht, shpenzojnë më shumë rrjetë se që është në dispozicion) rrjetnë WAN. Për të parandaluar mbingarkesën e rrjetës WAN, një H.323 gatekeeper mund të shërbejë si “polic trafiku” për IP WAN, duke rregulluar trafikun e rrjetës në dispozicion. Para se thirrja të mund të udhëtojë nëpër IP WAN, një H.323 gateway apo një CCM server mund të kërkojnë leje-kalimi nga një H.323 gatekeeper.
Nëse brezi i rrjetës WAN është i mjaftueshëm për të realizuar thirrjen, gatekeeper do të japë lejen për krijimin e lidhjes. Sidoqoftë, nëse në WAN nuk ka hapësirë të mjaftueshme për të përkrahur thirrjen, së bashku me të gjitha thirrjet tjera, gatekeeper mund të refuzojë kërkesën për krijim të lidhjes, duke mbrojtur kështu thirrjet origjinale me zë nga mbingarkesa e rrjetës që do të shkaktohej nga një thirrje tjetër.

MCU – Njësi shumë-pikëshe e kontrollit


Teknikisht, një thirrje konferencë është thirrje shumë-pikëshe, që nënkupton se shumë pika të fundme marrin pjesë në të njëjten thirrje. Një H.323 MCU menaxhon sinjalizimin për të shtuar dhe larguar pjesëmarrësit nga një thirrje konferencë, dhe MCU gjithashtu mikson në një vend disa audio dhe video kanale që kërkojnë fuqi përpunuese. Prandaj, dizajnuesit e rrjetave VoIP shpesh përdorin harduer të dedikuar (për shembull, përpunues digjital të sinjalit që ndodhen në rauterët apo switch-ët e Ciscos) për të menaxhur resurset e konferencave.


Protokolli SIP


Një alternativë ndaj H.323 është paraqitur me zhvillimin e Protokollit për Inicializim të Sesionit (SIP). SIP është protokoll më i kufizuar, i zhvilluar veçanërisht për aplikacionet që përdorin VoIP-në. Më i vogël dhe më efikas se H.323, SIP përdorë protokollet ekzistuese për të manovruar disa pjesë të caktuara të procesit.
Dizajnuesit e protokollit SIP janë vizionarë të premtimit të interoperabilitetit të prodhuesve, fleksibilitetit të dizajnuesve të rrjetit për të përdorur VoIP produkte prej prodhuesve të ndryshëm dhe të kenë produkte të cilat mundësojnë komunikimin përmes protokollit SIP. Para ca kohe prodhuesi më i madh i pajisjeve të VoIP-së, Cisco, paraqiti funksionin CallManager i cili i mundëson ambientet CCM të komunikojnë me ambientet që punojnë me protokollin SIP.
SIP përdorë konceptin e thirrjeve të pjesëmarrësve në sesione, dhe këto sesione mund të reklamohen nga Protokolli i Lajmërimit të Sesionit (SAP). Sikurse H.323, SIP shpërndan inteligjencën mbi kalimin-e-thirrjeve nëpër pajisjet në tërë rrjetën. Këto pajisje njihen si agjentët e shfrytëzuesve (ang. user agents). Ekzistojnë dy lloje të agjentëve të shfrytëzuesve:
• Klientë të agjentëve të shfrytëzuesve – të cilët iniciojnë lidhjen duke dërguar një mesazh thirrjeje (ang. invite)
• Shërbyesit e agjentëve të shfrytëzuesve – të cilët përgjigjen ndaj mesazheve të thirrjeve
Agjentët e shfrytëzuesve përdorin komponentët siç janë IP telefonët. Njëse një IP telefon ka qenë nismëtar i thirrjes, atëherë IP telefoni përfaqëson klientin e agjentëve të shfrytëzuesve. Sidoqoftë, kur një IP telefon prenon thirrjen, IP telefoni vepron sikurse një shërbyes i agjentëve të klientëve. Prodhuesi Cisco prodhon firmware për SIP, duke i lejuar kështu administratorëve të konvertojnë pajisjet siç është IP telefoni Cisco 7960G prej protokolleve tjera në SIP telefon.
Protokolli SIP përdorë tekst të kjartë për dërgim të mesazheve, gjë që i ndihmon adminstratorët të ripararojnë problemet me rrjetë. Dy llojet e SIP mesazheve përfshijnë:
• Kërkesën e mesazhit prej klientit për serverin
• Përgjigjen e mesazhit prej serverit për klientin
Një kërkesë përdorë mesazhet siç janë INVITE (e cila i kërkon një pjesëmarrësi ti bashkangjitet një sesioni) ose BYE (e cila ndërpren thirrjen momentale). Nga ana tjetër, mesazhi përgjegjës përdor HTTP mesazhe të statusit. Për shembull, nëse kemi provuar ndonjëherë të hapim ndonjë ueb faqe dhe kemi marrë rezultat “404 error” soe “500 error”? Këto janë HTTP përgjigje dhe këto gjithashtu përdoren në SIP ambiente.
Që një SIP klient të marrë një IP adresë të SIP serverit, ai duhet të zgjedhë (pra, të kërkojë) një SIP adresë. Këto SIP adresa janë në të vërtë URL, të cilat zakonisht fillojnë me sip:, për ndryshim nga “http:”. SIP adresat mund të përfshijnë një llojllojshmëri të informatave siç është emri i shfrtëzuesit (username), fjalëkalimi (passwor), emri i hostit (hostname), IP adresën dhe numrin e telefonit. Ja se si mund të duket një SIP adresë:
sip:18595551212@ptkonline.net;user=phone
Në këtë shembull argumenti user=phone specifikon se pjesa e shfrytëzuesit të URL-së (respektivisht, 18595551212) përfaqëson një numër telefoni e jo ID-në e shfrytëzuesit.
SIP pajisjet mund të bëjnë adresat e tyre të njohura duke u regjistruar në SIP serverin e regjistrimeve. Pasi që një herë SIP pajisjet të kenë regjistruar adresat e tyre, SIP klientët mund të kenë mundësinë që vetë të zgjedhin SIP adresën, ndoshta përmes DNS ose përmes një tabele lokale të hostave. Sidoqoftë, një SIP klient mund të përdorë një SIP proxy server për të dërguar pyetje për SIP bazën e të dhënave për të zgjedhur SIP IP adresë. Mund të konsiderojmë një SIP thirrje elementare, ku një SIP gateway komunikon drejtëpërdrejtë me një SIP gateway tjetër, pa përdorimin e proxy apo serverëve të ri-drejtimit, si në foton e mëposhtme.

Gateway protokollet

Qëllimi i fundmë i gateway protokolleve në një VoIP rrjetë është të lejojë rrjedhën e protokollit RTP (që nënkupton, rrjedhën e VoIP pakove) në mes të dy pikave të skajshme. Gajtë procesit të themelimit të lidhjes, secila pikë e skajshme (për shembull, një FXO port në gateway) ka nevojë të mësojë IP adreasën dhe UDP portin në mënyrë që të realizojë thirrjen telefonike në skajin tjetër të telefonatës.
Përveç themelimit të thirrjes, mund të ketë nevojë edhe për kryerjen e administrimit të thirrjes si dhe përdorimin e funksioneve të kontabilitetit. Këto funksione mund të ruajnë shënimet për përdorimin e brezit të rrjetës WAN dhe të mirëmbajnë shënime mbi thirrjet, të cilat mund të përdoren për qëllime të faturimit apo planifikmit.
Derisa gateway lokal mund të jenë në dijeni mbi mënyren e qasjes te telfonat lokal, ai gateway mund të ketë nevojë edhe të kontraktojë ndonjë bazë eksterne të adresave për të përcaktuar lokacionin e një telefoni në largësi. Kjo bazë eksterne e të dhënave mund të mësojë mbi telefonat e larguar duke bërë që gateway-ët të regjistrojnë këta numra ekstern në bazën e të dhënave. Duke pasur këtë lloj të depozimit qendrorë të numrave telefonik dhe të pasqyrimit të tyre me IP adresa, më pak konfigurim duhet bërë në secilin gateway lokal.
Të konsiderojmë një shembull. Një gateway që ndodhe tnë Pejë din si të gjejë numrat e telefonit që ndodhen në zonën e kodit 039 (që është kodi i zonës së Pejës). Gateway i Pejës regjistron vetën pranë bazës së të dhënave, si në figurën 5. Kur gateway regjistrohet pranë një baze të të dhëave, ai i tregon bazës se cila është IP adresa e tij dhe cilat numra të telefonit mund të thërras ai. Në këtë shembull, gateway ka IP adresën 172.16.1.10.

Regjistrimii gateway-it pranë bazës së të dhënave

Thirrësi i ngjitur për një gateway në Prishtinë, pastaj dëshiron të thërras një numër në zonën e kodit 039. Sidoqoftë, gateway i Prishtinës nuk ka asnjë informatë mbi zonën me kodin 039. Gateway i Prishinës pastaj e pyet bazën e të dhënave se si mund të ketë qasje në zonën me kod 039. Baza e të dhënave ia kthen përgjigjen duke i thën “Telefonat që ndodhen në zonën e kodit 039 mund ti marrësh duke dërguar pakot në IP adresën 172.16.1.10” si në figurën 6. Gateway i Prishtinës themelon thirrjen me gateway-in e Pejës, duke përdorur ndonjë protokoll të gateway-it, dhe RTP pakot fillojnë në rrjedhin në mes të dy IP telefonëve.

Shkëmbyesit e butë

Shkëmbyesi i butë përmban një bazë të dhënave të shfrytëzuesve dhe të numrave të telefonit. Nëse ai nuk ka informatat që i nevojiten, atëherë shkëmbyesi e kalon kërkesën tek shkëmbyesit tjerë derisa nuk e gjen një i cili mund ti përgjigjet kërkesës. Pasi të ketë gjetur shfrytëzuesin, ai e zbulon IP adresën momentale e pajisjes që është e shoqëruar me atë shfrytëzues në një seri të ngjashme të kërkesave. Ai dërgon prapa të gjitha informatat e rëndësishme të ndërlidhura për softphone-in apo IP telefonin, duke lejuar shkëmbimin e të dhënave në mes të dy pikave të skajshme.
Shkëmbyesit e butë punojnë në tandem me pajisjet e rrjetit për të mundësuar funksionimin e VoIP-së. Që të gjitha këto pajisje të mund të punojnë së bashku, ato duhet të komunikojnë në të njëjtën mënyrë. Ky komunikim është ndër aspektet më të rëndësishme që duhet të përpunohen para se VoIP të mund të përdoret në shkallë më të gjerë.

Monitorimi i VoIP thirrjeve

VoIP ka avantazhet dhe disavantazhet e dallueshme. Avantazhi më i madh i VoIP-së është çmimi derisa disavantazhi më i madh është kualiteti i thirrjes. Për bizneset që përdorin rrjeta telefonike VoIP – veçanërisht për ato të cilat kanë qendra të zëna të thirrjeve (shërbimet e klientëve, përkrahja teknike, telemarketingu etj) – çështjet e kualitetit të thirrjes janë si të pashmangshme po ashtu dhe të papranueshme. Për të analizuar dhe riparuar çështje të kualitetit, shumica e bizneseve përdorin teknikën e quajtur monitorimi i VoIP thirrjeve.
Monitorimi i VoIP thirrjeve, gjithashtu i njohur edhe si monitorim i kualitetit (MK), përdor zgjidhjet harduerike dhe softuerike për të testuar, analizuar dhe vlerësuar kualitetin e tërësishëm të thirrjeve të bëra përmes VoIP rrjetave telefonike. Monitorimi i thirrjeve është komponent kyç e planit të përgjithshëm mbi kualitetin e shërbimit të biznesit.
Hardueri dhe softueri për monitorimin e thirrjeve përdorë algoritme të ndryshme matematikore për të matur kualitetin e një thirrje VoIP dhe për të gjeneruar rezultatin e vlerësimit. Rezultati më i shpeshtë quhet rezultati mesatar i opinionit. Ky rezultat matet në shkallën prej një deri në pesë, edhe pse 4.4 është teknikisht rezultati më i lartë i mundshëm në një rrjetë VoIP. Një rezultat prej 3.5 ose më shumë konsiderohet si “thirrje e mirë”.
Për të përllogaritur rezultatin, hardueri dhe softueri për monitorim të thirrjeve duhet të analizojë disa parametra të ndryshme të kualitetit të thirrjes, ku më të shpeshtat janë:
• Latenca – kjo është vonesa kohore në mes të dy skajeve në një VoIP bisedë telefonike. Ajo mund të matet qoftë në një drejtim qoftë në tërë qarkun. Latenca e plotë i kontribuon “efektit të përsëritjes së fjalëve” që përjetohet gjatë VoIP thirrjeve të këqija, ku njerëzit gjejnë vetën duke folur njëri mbi tjetrin për shkak se mendojnë se personi tjetër ka ndaluar së foluri. Latenca e përgjithshme prej mbi 300 mili-sekondave konsiderohet si e dobët.
• Pengesat – janë latenca e cila shkaktohet nga pakot që arrijnë me vonesë ose në vend të gabuar. Shumica e rrjetave VoIP mundohen të shmangin pengesat duke përdorur diçka që njihet si zbutësi i pengesave i cili mbledh pakot në grupe të vogla, i vendos ato në radhitje të duhur dhe i dorëzon tek përdoruesi i skajshëm si një pako të vetme. Përdoruesit e VoIP-së mund të dallojnë pengesa prej 50 ose më shumë mili-sekonda.
• Humbja e pakove – pjesa e problemit të zbutësit të pengesave është se ai nganjëherë mbingarkohet dhe pakot që arrijnë me vonesë “prishen” apo humben. Nganjëherë pakot humbet në mënyrë sporadike nëpër tërë bisedën (humbjet e rastit) dhe nganjëherë fjali të tëra do të prishen. Humbja e pakove matet si përqindje e pakove të humbura ndaj pakove të pranuara.
Ekzistojnë dy lloje të monitorimeve të thirrjeve: aktiv dhe pasiv.
Monitorimi aktiv (apo subjektiv) ndodh para se kompania të ketë zbatuar planin e saj për rrjetën VoIP. Monitorimi aktiv zakonisht bëhet nga ana e prodhuesve të pajisjeve dhe specialistëve të rrjetës të cilët përdorin VoIP rrjetën e kompanisë ekskluzivisht për qëllime testimi. Testimi aktiv nuk mund të ndodh pasi që të jetë zbatuar rrjeta VoIP dhe pasi që të punësuarit janë tashmë duke përdorur sistemin.
Monitorimi pasiv i thirrjeve analizon VoIP thirrjet në kohë reale derisa ato janë duke u bërë nga vetë përdoruesit. Monitorimi pasiv i thirrjeve mund të zbulojë probleme të trafikut në rrjetë, mbingarkesa të buferit si dhe shkëlqimeve tjera që mund të riparojnë administratorët e rrjetës në kohët kur ajo është në përdorim të ulët.
Edhe një metodë për analizimin e thirrjeve është ajo e incizimit të VoIP thirrjeve telefonike që mund të përdoret për analizë të mëvonshme. Ky lloj i analizës është i kufizuar, sidoqoftë, në atë që mund të dëgjohet gjatë thirrjes, e jo në atë se çfarë është duke ndodhur në të vërtetë në rrjetë. Ky lloj i monitorimit të thirrjeve zakonisht bëhet nga qeniet njerëzore, jo nga kompjuterët, dhe nganjëherë quhet sigurim për kualitetin.

VoIP celularët

Celularët me VoIP aftësi janë duke filluar të futen në tregun e konsumatorëve. Në Shtetet e bashkuara, vetëm shërbimi HotSpot@Home i T-Mobile lejon klientët të bëjnë thirrje telefonike mbi rrjetën VoIP. HotSpot@Home mbështetet mbi pajisjen e quajtur telefoni celular dual-mode.
Telefonat celular dual-mode përmbajnë dy radio atë të zakonshme celulare dhe një radio Wi-Fi (802.11 b/g). Radio Wi-Fi mundëson telefonin celular të lidhet në rrjetën pa tela përmes rauterit të rrjetës pa tel. Nëse një shfrytëzues ka rauter pa tela në shtëpi, ose nëse ai është duke qëndruar në një kafiteri e cila ka qasje në Internet pa tela, atëherë ai mund të bëjë thirrje VoIP. Ja se si funksionon kjo lidhje:
1. Kur telefoni celular është në zonën e mbulimit të rrjetës pa tela, ai automatikisht e njeh atë dhe kyçet në rrjetë.
2. Çfarëdo thirrje që niset në rrjetën pa tela kalohet përmes Internetit si VoIP thirrje. Me disa lloje speciale të ofertave, çdo thirrje e bërë është pa pagesë.
3. Nëse telefoni është jashtë zonës së mbulimit me rrjetë pa tela, ai automatikisht kalon në rrjetën e zakonshme celulare (dhe e kundërta) në cilindo moment të thirrjes.
4. Telefonat dual-mode mund të kalojnë pa pengesa prej njërës rrjetë në tjetrën në mes të thirrjes në momentet që shfrytëzuesi hyn dhe del nga zona e mbulimit me rrjetën Wi-Fi.
Të ngjashëm me telefonat celular dual-mode janë edhe Wi-Fi telefonat. Wi-Fi telefonat teknikisht nuk janë telefona celularë për shkak se ata kanë vetëm Wi-Fi radio, e nuk kanë radio celulare. Telefonat Wi-Fi duken sikurse telefonat celular (pajisje të lehta dore), por mund të bëjnë thirrje vetëm kur janë të lidhur në rrjetën e Internetit pa tela. Kjo do të thotë se të gjitha thirrjet telefonike Wi-Fi janë thirrje VoIP.
Wi-Fi telefonat janë të dobishëm në kompanitë e mëdha dhe në zyrat me rrjeta të mëdha vetanake. Dhe mund të vërtetohet se kjo do të jetë gjëja e madhe e radhës, me zgjerimin e Wi-Fi rrjetave komunale. Mund të paramendojmë se çfarë do të ndodh nëse i tërë qyteti do të ishte i mbuluar me rrjetë të shpejtë pa tela. Kjo do të nënkuptonte thirrje shumë të lira (madje edhe pa pagesë) pa marrë parasysh se ku gjindemi.
[Image: 2lw4x2e.png]
Reply }}}}
Thanks given by:
Thanks given by:
Thanks given by:


Messages In This Thread
Rrjetat Kompjuterike - by SkilleR - 12-26-2020, 12:07 PM
Re: Rrjetat Kompjuterike - by LGC_kopfzzI - 03-14-2023, 05:27 PM
Re: Rrjetat Kompjuterike - by guN- - 08-23-2023, 10:33 AM
Re: Rrjetat Kompjuterike - by traay - 08-24-2023, 02:23 PM
Re: Rrjetat Kompjuterike - by Privatexe - 10-10-2023, 06:10 PM
Re: Rrjetat Kompjuterike - by SkilleR - 12-26-2020, 12:16 PM
Re: Rrjetat Kompjuterike - by SkilleR - 12-26-2020, 12:30 PM
Re: Rrjetat Kompjuterike - by SkilleR - 12-26-2020, 12:33 PM
Re: Rrjetat Kompjuterike - by SkilleR - 12-26-2020, 12:37 PM
Re: Rrjetat Kompjuterike - by SkilleR - 12-26-2020, 12:52 PM
Re: Rrjetat Kompjuterike - by SkilleR - 12-26-2020, 12:54 PM
Re: Rrjetat Kompjuterike - by SkilleR - 12-26-2020, 01:03 PM
Re: Rrjetat Kompjuterike - by SkilleR - 12-26-2020, 01:06 PM
Re: Rrjetat Kompjuterike - by SkilleR - 12-26-2020, 01:09 PM
Re: Rrjetat Kompjuterike - by iceboy - 01-02-2021, 02:51 PM
Re: Rrjetat Kompjuterike - by LoteXxX - 03-29-2021, 06:07 PM
Re: Rrjetat Kompjuterike - by LoteXxX - 03-29-2021, 06:07 PM
Re: Rrjetat Kompjuterike - by blendd. - 05-03-2021, 02:54 PM
Re: Rrjetat Kompjuterike - by SannctuM; - 06-01-2021, 05:56 AM
Re: Rrjetat Kompjuterike - by chAmmpzz.~ - 06-03-2021, 05:22 PM
Re: Rrjetat Kompjuterike - by mr.driki - 12-28-2021, 10:36 PM
Re: Rrjetat Kompjuterike - by ReaLo - 01-30-2022, 07:40 PM

Forum Jump:


Users browsing this thread: 1 Guest(s)